Gresa Jashari – i përket gjeneratës së parë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, përkatësisht në Fakultetin e Edukimit. Ajo gjithnjë kishte dëshiruar të ishte mësuese, andaj zgjedhja e këtij profesioni ishte një zgjedhje e mirë për të ngase gjen kënaqësi në punën me fëmijë.

Përgjatë studimeve shfaqi interesim, dëshirë e punë në interesat dhe të mirën e studentëve të Fakultetit të Edukimit, duke qenë pjesë e Këshillit të Studentëve. Si e tillë, ishte pjesë e organizatave të shumta jo-qeveritare në të cilat ishte nënkryetare, sekretare e madje edhe udhëheqëse e projekteve rinore në vend dhe jashtë tij. Zhvilloi praktika si mësimdhënëse në shkolla të ndryshme të vendit, si dhe në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim ’’Nëna Terezë’’ në Mitrovicë, vend i cili e motivoi edhe më shumë.

Gresa thotë se Universiteti i Mitrovicës i ka hapur rrugë për mundësi të reja studimi dhe përkrahjeje nga të tjerët. Nisur nga kjo, me të përfunduar studimet, ka nisur punën e saj humane, mbi të gjitha pa pagesë. Për dy vite me radhë, në muajt e verës ka mbajtur kurse përgatitore në lëndët mësimore për të gjithë fëmijët nga klasa e parë gjerë në të pestën. E gjithë kjo i ka hapur rrugë për të punuar më tepër.

Për një mandat ishte pjesë e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, në pozitën e deputetes. Gjithashtu, që nga viti 2015 është trajnere e Mirëqenies Sociale në Kuadër të Kryqit të Kuq të Kosovës në Mitrovicë.

Në vitin 2018, punësohet si mësimdhënëse klasore, profesion të cilin e ushtron me zell dhe pasion edhe sot.

Për të gjithë studentët që zgjedhin për të studiuar fushën e Edukimit Fillor ka një porosi: “Nëse me të vërtetë e do si profesion, e bëhesh një mësimdhënës, konsideroje veten të privilegjuar”.

 

Gresa Jashari