Nermin Morina – përfundoi studimet Bachelor në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, gjegjësisht në programin Parashkollor gjatë periudhës 2015 –  2019. I përkiste gjeneratës së dytë, e cila vijonte këtë drejtim në Universitetin e Mitrovicës. Gjatë katër viteve të studimeve, ndryshimi për të mirë, nga viti në vit ishte i dukshëm dhe shembullor. Çdo herë e më tepër vihej në pah aftësia, talenti, si dhe puna e saj. Kjo padyshim falë vlerësimit të shoqëruar me përkrahjen e vazhdueshme nga ana e profesorëve.

Gjatë kohës së lirë shkruan poezi, ku në krijimtarinë e saj letrare ka rreth 30 poezi, teksa poezia e fundit titullohet: “Nana”. Përveç poezive, ajo shkruan dhe përralla për fëmijë, kurse kohëve të fundit ka filluar të shkruajë edhe tekste të këngëve (një tekst për të rritur dhe dy këngë për fëmijë: 1 Qershori, si dhe një këngë patriotike për Kosovën), të cilat së shpejti priten të publikohen.

Gjatë kohës së studimeve, përpos ligjëratave ka marr pjesë edhe në organizime të ndryshme për fëmijë, konferenca, ekspozita etj. Gjatë ekspozitës artistike në Qendrën e Kulturës kishte disa punime autoriale, njëkohësisht ishte edhe në rolin e moderatores. Në kuadër të fakultetit mori pjesë në disa konferenca. Në Konferencën Ndërkombëtare IMGC 2019 prezantoi punimin me këtë temë: “Perceptimi i edukatorëve dhe prindërve mbi praktikat e aktiviteteve fizike në natyrë dhe rëndësinë e tyre në edukimin parashkollor në shkollat e qytetit të Mitrovicës”. Ky hulumtim u realizua gjatë po këtij viti, pjesëmarrëse ishin: 11 edukatore të 8 shkollave të qytetit të Mitrovicës, si dhe 6 prindër të cilët kishin fëmijët në klasën përgatitore të një shkolle në Mitrovicë.

Pas diplomimit, u punësua si edukatore për fëmijët 5-6 vjeç në Qendrën e Edukimit të Fëmijëve “EdukidsLand”. Gjatë punës me fëmijë, po i shërbejnë shkëlqyeshëm informacionet që i ka mësuar, përderisa studionte në Universitetin e Mitrovicës, çdo herë duke synuar t’i motivojë fëmijët.

 

 

 

 

 

 

Nermin Morina